Rruga drejt Prespës


Bujar Osmani, Ministër i Punëve të Jashtme

Rruga drejt Prespës është konceptuar si promotor dhe nxitës i mendimit pozitiv në zhvillimin një dialogu të sinqertë dhe gjithëpërfshirës ndërmjet vendeve dhe popujve të rajonit. E kaluara është e rëndësishme, për të na mësuar që të mos i përsërisim gabimet, por jo edhe për të na verbuar. Neve na nevojitet një kulturë e re strategjike, e cila ndërmjet barrës së të kaluarës që na ndan, t’i jep përparësi të ardhmes që na bashkon. E pranoj, koha në të cilën jetojmë është po aq e vështirë dhe e paparashikueshme sa edhe e paraardhësve tanë, por sot ne jemi më të pjekur. Rruga që kemi vendosur ta ndjekim na është e njohur, ndërsa qëllimi drejt të cilit synojmë është i qartë. Sot kemi modele suksesi që mund ta menaxhojnë mosbesimin, dallimet dhe traumat historike që shpesh krijojnë paparishikueshmëri, edhe atë, përmes një uniteti komplementar i cili zhvillon një sinergji të fortë të materializuar në zhvillim ekonomik, paqe, harmoni dhe mirëqenie. Ky shembull është Evropa e bashkuar e njohur si Bashkimi Evropian.

Kjo rrugë është e dëshmuar dhe e sigurt, por sado që të na duhen shembuj të mirë, ata nuk duhet vetëm t’i kopjojmë – neve na nevojitet rrugë e jonë vetanake, e cila do t’i ketë parasysh veçantitë e saja rajonale, për ta ndërtuar modelin tonë autentik.

Rajonit si asnjëherë më parë i nevojiten ide të freskëta, narrativ i ri për bashkëpunim rajonal, siguri dhe stabilitet, me qëllim që më lehtë të ballafaqohemi me sfidat e quajtura rruga drejt BE-së.

Qëllimi kryesor i Forumit të Prespës për Dialog është që ta avancojë modelin e miratuar nga Maqedonia e Veriut – model për ndërtimin e urave, marrëdhënieve të mira fqinjësore, kultivimin e kulturës së miqësisë, besimit dhe mirëkuptimit të ndërsjellë. Forumi është paraparë si vend për biseda të hapura dhe për zgjidhje, që vendet e rajonit tonë, të kenë mundësi për t’i dëshmuar aftësitë dhe përkushtimin e tyre në bashkëpunim rajonal, në stabilitet dhe siguri.

                Ideja për krijimin e Forumit të Prespës për Dialog nuk është as pa bazë e as pa mbështetje empirike. Ajo bazohet në një platformë dhe strategji të ndërtuar mbi tri shtylla, të pasqyruara në tri marrëveshjet që Maqedoninë e Veriut e bëjnë një shembull unik në rajonin më të gjerë: në Marrëveshjen Kornizë të Ohrit, Marrëveshjen për Miqësi, Fqinjësi të Mirë dhe Bashkëpunim të nënshkruar me Republikën e Bullgarisë në vitin 2017 dhe Marrëveshjen e Prespës të nënshkruar me Republikën Helene në vitin 2018. Të tri marrëveshjet gëzojnë legjitimitet të fortë të brendshëm dhe ndërkombëtar dhe janë të pranuara dhe të mbështetura gjerësisht, me çka paraqesin model për vendet dhe shoqëritë e tjera dhe ofrojnë shembull me mësime dhe  konkluzione të rëndësishme që do të mund të ishin të dobishme.

Marrëveshja Kornizë e Ohrit, e nënshkruar në vitin 2001, jo vetëm që i qetësoi tensionet ndërmjet komuniteteve, por i hapi dyert për një shoqëri më harmonike multietnike gjithëpërfshirëse dhe kontribuoi në integrimin politik dhe shoqëror të të gjitha komuniteteve në vend. Së shpejti do ta shënojmë 20 vjetorin e nënshkrimit të Marrëveshjes dhe me bindje mund të themi se jemi pjekur, se animozitetet e vjetra që na ndajnë janë tejkaluar, dhe të gjithë ne, të bashkuar rreth perspektivës evropiane, po ndërtojmë një shtet me vlera demokratike dhe kulturë politike participuese. Miratimi i modelit të rregullimit të brendshëm politik dhe shoqëror të përcaktuar me Marrëveshjen e Ohrit, vendin e bëri një vend të hapur, më të fortë dhe më stabil. Sot, mund të jemi krenarë për gjendjen e marrëdhënieve ndëretnike dhe të ardhmen e vendit. Ky model sot është simbol i njohjes së vendit tonë dhe prodhimi më i mirë politik për eksportim.

Marrëveshja me Bullgarinë, e nënshkruar në vitin 2017, i ngriti marrëdhëniet bilaterale me fqinjin tonë lindor në një nivel tjetër, duke reflektuar aspiratat e ndërsjella për thellimin e marrëdhënieve dhe për zgjerimin e bashkëpunimit. Përkushtimi ndaj miqësisë, fqinjësisë së mirë dhe bashkëpunimit, i shprehur në Marrëveshje u mishërua mjaft qartë, ndërsa rezultatet mund të vëreheshin dhe të ndjeheshin shumë shpejt. E intensifikuam dialogun politik dhe hymë në fazën e komunikimit të hapur dhe të shpeshtuar. Bashkëpunimi ekonomik vazhdon të rritet, jemi partnerë për një numër të madh çështjesh - nga bashkëpunimi në fushën e mbrojtjes dhe punëve të brendshme, deri te arsimi, shkenca, kultura, mediet, shëndetësia, deri te infrastruktura dhe lidhja rajonale. Themelimi i Komisionit të përbashkët multidisiplinor për çështje historike dhe arsimorе ishte hap i rëndësishëm drejt krijimit të një platforme për debat, shkëmbim mendimesh dhe institucionalizim të dialogut ndërmjet komuniteteve akademike. Në praktikë, Marrëveshja e zhvendosi debatin për çështje historike pikërisht aty ku e ka vendin - në institucionet shkencore dhe akademike, për ta liruar politikën nga debatet e gjata sa i takon rëndësisë së personaliteteve dhe ngjarjeve të caktuara historike. Krahas çështjeve historike, që u janë lënë ekspertëve për t’u diskutuar, të dy vendet ranë dakord se do ta ndajnë të ardhmen si vende-anëtare të komunitetit evropian dhe euroatlantik. Jemi të bindur se përmes vullnetit të mirë, dialogut të hapur dhe qasjes konstruktive nga të dy palët, do t’i tejkalojmë të gjitha sfidat para nesh. Ndarja e procesit në dy pjesë, historia – historianëve ndërsa politika - politikanëve, vlerësojmë se do të jetë ekuilibër i mirë i një kulture të re strategjike ku rezultantet e fituar nga e kaluara dhe e ardhmja, do të garantojnë një hap të sigurt, pa e humbur vizionin për të ardhmen.

Marrëveshja e Prespës, e nënshkruar para tri vitesh, shënoi një perspektivë të re nën diellin e Ballkanit. Dy vende fqinje, të gërmuar në anë të kundërta të kontestit, të vjetër pothuaj 30 vite, arritën  t’i zgjerojnë kufijtë e së mundshmes, treguan mënyrë të re të vështrimit të njëra-tjetrës, dhe dëshmuan se e meritojnë të jenë pjesë e familjes së vendeve evropiane demokratike. Prespa u bë simbol i dialogut të hapur, i zgjidhjes së kontesteve dhe i kapërcimit të vetvetes dhe të interesave vetanake të ngushta dhe afatshkurtra. Prespa dëshmoi se ekziston edhe rrugë tjetër – rrugë e cila është e hapur për të gjithë ata që kanë vullnet të mirë, pjekuri dhe aftësi për të marrë vendime të vështira për të mirën e të gjithëve.

Në Prespë manifestuam gatishmërinë tonë për t’u kuptuar, për të bërë kompromis dhe për të gjetur zgjidhje që është e pranueshme për të gjitha palët dhe që është e qëndrueshme në plan afatgjatë. Në Prespë, fituan të dy vendet dhe nuk humbi askush. Maqedonia e Veriut fitoi mik dhe partner, ndërsa u hap edhe e ardhmja jonë drejt NATO-s dhe BE-së. Republika Helene fitoi fqinj dhe partner me fqinjin e saj, dhe e konfirmoi rolin e saj promotor të përkushtuar dhe mbështetës të perspektivës evropiane të vendeve të Ballkanit Perëndimor. Mbyllëm një kapitull të rëndësishëm që me dekada të tëra i shpenzonte kapacitetet dhe kapitalin tonë diplomatik. Përnjëherë, na u lehtësua, u bëmë të lirë për t’u përqendruar në ndërtimin e projekteve konkrete me partnerin tonë të ri dhe për ta shfrytëzuar energjinë tonë në mënyrën më pozitive dhe më konstruktive të mundshme, në dobi të qytetarëve tanë.

Sot vendi ynë është një vend stabil, e përmirësuam imazhin dhe i hapëm dyert drejt së ardhmes euro-atlantike të vendit dhe rajonit. Progresi që e kemi arritur ka qenë fryt i angazhimit serioz, vullnetit të mirë dhe qëllimeve të sinqerta. Megjithatë kjo nuk ka qenë e lehtë. Ka pasur trysni të fuqishme dhe momente kur duhej të merreshin vendime të vështira. Vetëdija për rëndësinë historike të periudhës në të cilën ishim, të bindur se po krijojmë ardhmëri dhe se po u hapim mundësi qytetarëve tanë, ishte ajo që e mundësoi këtë progres.

Vetë thelbi i të tri marrëveshjeve gjendet në bindjen e thellë se paqja është më e mirë se lufta, se gjeneratat e ardhshme janë më të rëndësishme se zgjedhjet e ardhshme dhe se kompromisi i vërtetë që na lëviz përpara, është më i mirë se fitorja e rreme që na tërheq mbrapa. Konkluza dhe zbatimi i marrëveshjes mbështeten në vullnetin e mirë, përpjekjet e përkushtuara, këmbënguljen dhe besimin e fortë në të ardhmen tonë të përbashkët në Evropë, të bashkuar në liri dhe paqe.

Perspektiva evropiane dhe euroatlantike e vendeve të Ballkanit Perëndimor, rendi dhe stabiliteti i brendshëm politik, tejkalimi i kontesteve bilaterale dhe bashkëpunimi rajonal, janë të lidhura ngushtë dhe të varura nga njëri-tjetri. Të dy proceset e plotësojnë dhe e përforcojnë njëri- tjetrin. Përparimi në rrugën e integrimit u jep nxitje të fortë  reformave të brendshme aq të nevojshme, shtysë të fortë për tejkalimin e kontestit bilateral dhe intensifikim të  bashkëpunimit rajonal.

Në këto kohëra kur idetë për skenarë alternativ për të ardhmen e Ballkanit qarkullojnë përsëri, është e qartë se dobësimi i perspektivës evropiane nënkupton riaktualizim të ideve të vjetra, retrograde, që nuk  premtojnë asgjë të mirë për askënd. Që këtu buron iniciativa për promovimin e modelit tonë, si mënyrë për tejkalimin e kontesteve dhe me këtë të kontribuohet në paqe, stabilitet dhe siguri rajonale dhe të përshpejtohet procesi i integrimit evropian të gjithë rajonit. Jam optimist, por jo edhe naiv, kur besoj se një ditë, pikërisht këtu në Shkup, do të ngritët një qendër shkencore për  zgjidhjen e konflikteve dhe modeleve të funksionimit të shteteve dhe shoqërive të fragmentuara, multietnike dhe multireligjioze.

 

 

.............................................................................................................................................................................................

Bujar Osmani, Ministër i Punëve të Jashtme

Më 27  mars të vitit 2020, Republika e Maqedonisë së Veriut u bë anëtare e 30- të e NATO-s. Këto ditë bëhet një vit nga anëtarësimi ynë i plotë. Edhe pse vitin e kaluar do ta kujtojmë me pandeminë globale, anëtarësimi në NATO është një nga gjërat më të mira që i ka ndodhur vendit tonë. Me këtë, realizuam një nga synimet tona më të rëndësishme strategjike, që ishte qëllim i përbashkët dhe i përcaktuar me vendim unanim të Kuvendit që nga viti 1993.

Anëtarësimi në NATO është shprehje sovrane e zgjedhjes sonë, se ne duam të jemi pjesë e bashkësisë së demokracive euro-atlantike. Ky qëllim i ynë i përbashkët çdo herë ka pasur mbështetje të fuqishme nga publiku dhe ka gëzuar një konsensus të gjerë mbipartiak dhe ndëretnik. Breza të ndryshëm politikanësh, profesionist të Administratës Publike dhe të Armatës për vite me radhë kanë qenë të përkushtuar në realizimin e qëllimit tonë të përbashkët strategjik. Dhe, përfundimisht të gjithë së bashku e arritëm këtë në fund të marsit të vitit të kaluar.

Anëtarësimi në NATO është kontributi më i madh për sigurinë dhe stabilitetin tonë. Kjo është garancia më e fortë për mbrojtjen e integritetit dhe të sovranitetit territorial të Republikës së Maqedonisë së Veriut. Shumë mirë e kemi parë se sa domethënës dhe sa është i dobishëm solidariteti  ndërmjet aleatëve gjatë kohës së pandemisë së shkaktuar nga Covid-19.  Një numër i madh i aleatëve tanë me gjithë zemër na ndihmuan me donacione të pajisjeve mjekësore dhe mbrojtëse, si dhe me preparate dezinfektuese dhe materiale tjera. NATO dhuroi  60 ventilatorë mekanik për trajtimin më të lehtë me pasojat e pandemisë. Kapacitetet dhe burimet tona janë më të forta falë mbështetjes solidare të aleatëve, e cila është kontribut i drejtpërdrejtë nga anëtarësimi ynë në Aleancë.

 

Anëtarësimi në NATO është shprehje sovrane e zgjedhjes sonë, se ne duam të jemi pjesë e bashkësive të demokracive euro-atlantike. Ky qëllim i ynë i përbashkët çdo herë ka pasur mbështetje të fuqishme nga publiku dhe ka gëzuar një konsensus të gjerë mbipartiak dhe ndëretnik

 

Me anëtarësim tonë në NATO dukshëm u përmirësua siguria dhe stabiliteti  në rajonin tonë. Tani kemi bashkëpunim më të ngushtë me të gjithë fqinjët tanë që janë anëtarë të NATO-s. Falë Marrëveshjes së Prespës e tejkaluam kontestin me Greqinë dhe u bëmë anëtare e NATO-s, ndërsa me Marrëveshjen e Miqësisë me Bullgarinë bëmë investim të madh në marrëdhëniet e fqinjësisë së mirë dhe bashkëpunimin tonë të përbashkët, të cilën e  avancojmë si aleatë të Aleancës. Njëkohësisht, kemi edhe bashkëpunim më të ngushtë  me aleatët e tjerë që janë në rajonin tonë. Me disa prej tyre kemi marrëdhënie tradicionale të shkëlqyera, por tani kualiteti i bashkëpunimit dukshëm është më i mirë dhe bashkëpunimi është më i afërt.

Anëtarësimin tonë në NATO e shfrytëzojmë edhe si mundësi për të dhënë kontribut aktiv në funksionimin e Aleancës dhe zhvillimit të saj.  Jemi ulur në një tryezë me disa nga vendet më të mëdha dhe më të zhvilluara në botë. Nga 30-të vendet anëtare të NATO-s, 21 vende janë anëtare të BE-së. Ne jemi pjesë e barabartë e kësaj familje të madhe të demokracive të zhvilluara. Së bashku me ata ne japim kontributin tonë ndaj paqes dhe sigurisë në botë. Ne nuk jemi më objekt në diskutimet gjeo-politike, tani jemi subjekt që në mënyrë aktive kontribuon në diskutimet dhe në marrjen e vendimeve për të gjitha çështjet.

Kjo do të thotë që ne kemi  përgjegjësi të ndara dhe detyrim për të kontribuar në ruajtjen e paqes, sigurisë dhe stabilitetit. Në këtë kuptim, parandalimi është gjithmonë më i mirë se sa ndërhyrja. Prandaj morëm pjesë aktive në misionet e NATO-s, disa prej të cilave janë të drejtuar në ruajtjen e paqes dhe stabilitetit, ndërsa një pjesë ka për qëllim zhvillimin e kapaciteteve lokale dhe institucioneve për ruajtjen e paqes, sigurisë dhe zhvillimit demokratik. Nga viti i kaluar marrim pjesë në misionin e KFOR-it në Kosovë dhe nga ky vit do ta rrisim pjesëmarrjen tonë. Me rëndësi primare për ne është që fqinjësia jonë të jetë në paqe dhe e qëndrueshme.  Gjithashtu marrim pjesë në misionet e NATO-s në Afganistan dhe Irak. Pamë që konfliktet e Lindjes së Afërt shkaktuan valë të madhe refugjatësh dhe emigrantësh që kaluan nëpër vendin tonë dhe Ballkanin Perëndimor. Në të njëjtën kohë kemi pasur rritje të kërcënimit të  terrorizmit dhe ekstremizmit të dhunshëm. Me  pjesëmarrjen tonë në misionet e NATO-s dhe me mbështetjen e aktiviteteve të tjera,  ne kontribuuam në uljen e rreziqeve dhe kërcënimeve që mund të sjellin paqëndrueshmëri në rajonin tonë ose në Republikën e Maqedonisë së Veriut.

 

Me anëtarësimin tonë në NATO dukshëm u përmirësua siguria dhe stabiliteti  në rajonin tonë. Tani kemi bashkëpunim më të ngushtë me të gjithë fqinjët tanë të afërt që janë anëtarë të NATO-s.

 

Ne jemi një vend i vogël me burime të kufizuara. Për fat të mirë ose për fat të keq, bota është shumë më e vogël në shek. 21.   Ekziston lidhje dhe ndërvarësi më e madhe midis aktorëve dhe aktiviteteve në skenën ndërkombëtare. Shohim shfaqjen e sfidave dhe kërcënimeve të reja (kërcënimet kompjuterike dhe ato hibride), jemi dëshmitarë të ambicieve të forta dhe rritjes globale të fuqive të tjera,  ka zhvillim të formave të reja të bashkëpunimit rajonal dhe zhvillimeve dhe ngjarjeve që e ndryshojnë realitetin gjeopolitik dhe me të cilin duhet të ballafaqohet secili shtet në botë. Është shumë më e vështirë për një vend të vogël nëse është vetëm dhe është shumë më lehtë nëse është në aleancë me të tjerët për t’i rezistuar sfidave të reja gjeopolitike.

Ne edhe në të ardhmen, individualisht si shtet do të kemi pabarazi të madhe të burimeve dhe fuqisë në krahasim me më shumë vende tjera të botës. Por, si pjesë e NATO-s, ne tashmë jemi në një situatë krejtësisht të ndryshme. NATO është Aleanca më e suksesshme  ushtarako-politike në historinë e civilizimit njerëzor. Aleanca është organizatë ushtarake-superiore,  politikisht e fortë, e rëndësishme dhe ekonomikisht organizatë dominuese që bashkon hiç më pak se një miliard njerëz dhe më shumë se 50 për qind të BPV-së botërore.

Për ne gjëja me e rëndësishme  është se ajo është organizatë  e cila është ndërtuar mbi vlera të përbashkëta demokratike. Ne i ndajmë vlerat demokratike me aleatët tanë, dhe anëtarësimi në NATO na ndihmon që t’i ruajmë ato vlera, t’i zhvillojmë dhe t’i promovojmë. Padyshim që zhvillimi i demokracisë sonë ishte i mundur për shkak të konsensusit dhe ambicies së brendshme, por edhe për shkak të mbështetjes ndërkombëtare për orientimin tonë euro-atlantik. Anëtarësimi në NATO është një motiv shtesë për kohezionin shoqëror të Maqedonisë së Veriut dhe shërben për të forcuar rezistencën e demokracisë sonë.

 

Nga 30-të vendet anëtare të NATO-s, 21 vende janë anëtare të BE-së. Ne jemi pjesë e barabartë e kësaj familje të madhe të demokracive të zhvilluara. Së bashku me ato ne japim kontributin tonë ndaj paqes dhe sigurisë në botë. Ne nuk jemi më objekt në diskutimet gjeo-politike, tani jemi subjekt që në mënyrë aktive kontribuon në diskutimet dhe në marrjen e vendimeve për të gjitha çështjet.

 

Nga këndvështrimi i sotëm, këto argumente, duken të thjeshta dhe nganjëherë i marrim si të mirëqena, por rruga që e kaluam ka qenë shumë e vështirë dhe e pasigurt. E kaluam prishjen e Jugosllavisë, luftërat dhe konfliktet te fqinjët që për fat të mirë i shmangëm. Ne e kaluam krizën e refugjatëve nga Kosova në vitin 1993 dhe konfliktin e armatosur në vitin 2001. Arritëm me sukses ta implementojmë Marrëveshjen Kornizë të Ohrit. Kishim misione të NATO-s në territorin tonë kur filluam pjesëmarrjen tonë në misionet e NATO-s në rajone tjera të krizës. I tejkaluam ndasitë- politike dhe ndër etnike- dhe u ngritëm më të fortë dhe më të bashkuar, duke ju falënderuar vullnetit për të nesërme më të mirë dhe ambicien për ta realizuar atë. Anëtarësimi në NATO është simbol i punës sonë dhe dëshmia më e fortë për arritjen tonë.

Gjenerata jonë ishim fëmijë kur u shpërbë RFS e Jugosllavisë. Rininë tonë e karakterizoi pasiguria dhe joqëndrueshmëria e rajonit tonë edhe shtetit tonë. Familjet tona u ballafaquan me dilemat ekzistenciale dhe çështjet e sigurisë dhe stabilitetit të shtetit dhe për atë se çfarë të ardhme do të kemi. Gjithë kjo është pas nesh. Dhe asnjëherë nuk do të hapet si temë. Anëtarësimi në NATO është garanci për këtë. Sot e dimë se fëmijët tanë do të rriten në shtet i cili është më stabil dhe më i sigurt, i bazuar në parime dhe vlera demokratike. Ky është themeli për zhvillimin ekonomik dhe prosperitetin shoqëror. Është themeli për ardhmërinë tonë më të mirë. Është NATO.

Rifreskimi i fundit: 04 Qershor 2021